Kasem Trebeshina

Kasem Trebeshina

Kasëm Trebeshina lindi në Berat më 5 gusht 1926. Filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942, kur u aktivizua gjallërisht në Luftën Nacionalçlirimtare, prej së cilës i kanë mbetur disa plagë. Trebeshina ndërpreu edhe studimet e larta në Institutin e Teatrit "Ostrovski", të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare. Në vitin 1961 arrin të botojë poemën "Artani dhe Min'ja ose hijet e fundit të maleve" dhe një përkthim pa emër të Garsia Lorkës. Veprat e Trebeshinës kanë nisur të botohen në fillim të viteve '90 fillimisht në Prishtinë: Stina e stinëve, 1991; mekami, melodi turke, 1994; Histori e atyre që nuk janë, 1995 dhe në Tiranë: Legjenda e asaj që iku, 1992; Koha tani, vendi këtu, 1992; Qezari niset për në luftë, 1993; Rruga e Golgotës, 1993; Lirika dhe satirë 1994: Hijet e shekujve, 1996; Ëndrra dhe hije drama; 1996 etj. Megjithatë pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane e vëllime me tregime etj. Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20. Ky fakt lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Per këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim. Letra e tij "Promemorje" për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, denoncon vendosjen e pushtetit "njëdorësh" në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e Metodës së realismit socialist të cilën vetë Kasëm Trebeshina e identifikon me një çensurë nga më të çuditshmet.
"Stina e stinëve", është vepra më përfaqësuese (e atyre që janë botuar deri më sot) e Kasëm Trebeshinës, e cila ka tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të studjuesve të letërsisë. Në këtë vëllim janë përfshirë tri novela: "Stina e stinëve", e cila ka dhe një titull të dytë "Këngë fëmijërie", "Odin Mondvalsen" me titull të dytë "Një histori dashurie" dhe "Fshati mbi shtatë kodrina" apo "Kapriçio shqiptare".
Ndërsa novela e parë dhe e tretë bëjnë objekt fëmijërinë në një rrëfim jashtë tabuve që zakonisht identifikohen me këtë moshë (Stina e stinëve) dhe me ngarkesa historiko-filozofike që e tejkalojnë fëmijërinë (Fshati mbi shtatë kodra), novela tjetër, "Odin Mondvalsen" përbën një cilësi të veçantë si përsa i përket objektit të pasqyrimit, ashtu edhe për nga teknikat e rrëfimit.
Prozator, dramaturg dhe poet, Kasëm Trebeshina e kundërshtoi që në nismë metodën e realismit socialist dëmet e së cilës ishin brenda parashikimeve të tij.
Që në vitet '50 ai filloi të shkruajë ndryshe nga veprat që botoheshin aso kohe. Thellësia filozofike e veprave të tij dhe prekja e temave tabu lidhen me talentin e shkrimtarit që shkruan si i thotë shpirti pa pyetur për pasojat. Dhe ndonëse persekutimet e herëpashershme e bënë atë të vuajë fizikisht, vepra e Trebeshinës , ndonëse nuk u botua, si ajo vera e vjetër, e shfaqi vlerën e saj pas disa dekadash (në vitet '90).
Sipas kritikës serioze vepra e Trebeshinës qëndron ndërmjet traditës kuteliane dhe surealizmit. Nisur nga fakti se pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim, vendi i saj në rrjedhat e letërsisë së sotme shqiptare mbetet i papërcaktuar përfundimisht.

Marre nga : Fajtori.com

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama